OJQ “NOPM” nis zbatimin e projektit ‘’Përkrahja e Qendrës për Punë Sociale në përmirësimin e shërbimeve në shtëpi, dhe ato rezidenciale për fëmijët dhe të rriturit në nevojë’’ në Kamenicë

OJQ Network of Peace Movement ka nisur zbatimin e projektit ‘’Përkrahja e Qendrës për Punë Sociale në përmirësimin e shërbimeve në shtëpi, dhe ato rezidenciale për fëmijët dhe të rriturit në nevojë’’ në Kamenicë

Më 17 Maj, 2018 përfaqësues të organizatës Jo-Qeveritare (OJQ) “Network of Peace Movement” (NOPM) si pjesë e projektit ’Përkrahja e Qendrës për Punë Sociale në përmirësimin e shërbimeve në shtëpi, dhe ato rezidenciale për fëmijët dhe të rriturit në nevojë’’ që përkrahet nga organizata ndërkombëtare “Save the Children International” (SCiK) në Kosovë, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), kanë mbajtur një takim me kryetarin e komunës së Kamenicës, z.Qëndron Kastrati me qëllim të informimit rreth projektit në fjalë.

Drejtoresha e NOPM shpjegoi më gjerësisht qëllimin e projektit e që është përkrahja e shërbimeve sociale për grupet me të cenueshme duke plotësuar obligimet dhe përgjegjësit e Qendrës për Punë Sociale karshi fëmijëve dhe të rriturve në nevojë. Projekti përmes zbatimi të aktiviteteve synon të kontribuojë në ofrimin e shërbimeve sociale me cilësi të lartë për grupet më të cenueshme, përfshirë këtu fëmijët dhe personat në nevojë dhe fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve për të ofruar shërbime sociale më cilësore.

Gjithashtu, projekti do të ofroj shërbime preventive, mbrojtëse, të intervenimit të hershëm, ribashkimit dhe shërbimeve alternative të përkujdesjes për fëmijët në nevojë, ofrimin e këshillimeve, fizioterapeutike, terapisë fizikale, përkujdesjes, vetë-ndihmës, mbështetjes së njëri-tjetrit dhe shërbimeve të tjera përkatëse për fëmijët dhe të rriturit në nevojë, rritje të vetëdijesimit dhe mbështetje për të drejtat e fëmijëve në informim, qasje në shërbime gjithëpërfshirëse , mbrojtje dhe ngritjen e kapaciteteve për personelin profesional që punon drejtpërdrejt në menaxhimin e rasteve dhe intervenimeve të bazuara në dëshmi për fëmijët dhe të rriturit në nevojë. Projekti do të filloj nga tani (muaji Maj 2018) dhe do të zgjatë për një periudhë kohore prej 16 muajve.

Ndërsa, kryetari i komunës së Kamenicës, garantoi përkrahje të vazhdueshme në realizim të objektivave të projektit duke qenë i bindur se qytetarët, veçanërisht grupet e cenuara si dhe komuna do të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtij projekti. Gjithashtu, takime të tilla informative janë mbajtur edhe me drejtorin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, drejtorin e Qendrës për Punë Sociale dhe stafin e tyre.

Ky projekt përkrahet nga organizata ndërkombëtare “Save the Children International” (SCiK) në Kosovë, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA).