Organizata joqeveritare “Network of Peace Movement” (NOPM) ka trajnuar 26 zyrtarë të qeverisjes lokale në Kamenicë. Në kuadër të llogaridhënies komunale në pushtetin lokal, financuar nga Bashkimi Evropian dhe menaxhuar nga instituti “Riinvest” për hulumtime zhvillimore si partneri implementues i projektit “Avokim për qeveri te hapur” në Kosovë e zbatuar nga OJQ “Network of Peace Movement ”Rrjeti i Lëvizjes Paqësore, ka organizuar një trajnim për qeverisjen lokale dhe transparencë në komunën e Kamenicës, shkruan Koha Ditore. Qëllimi i trajnimit ishte theksimi i rolit, përgjegjësitë dhe obligimet e komunës për një qeverisje të mirë dhe transparencën në nivel lokal, duke përfshirë të gjitha segmentet komunale, informacione të qasshme për publikun dhe për të siguruar që vendimi i komunës në procesin e vendimmarrjes është transparent dhe i përgjegjshëm. Trajnimi është ndjekur nga rreth 26 pjesëmarrës, zyrtarë komunalë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe mediave, duke përfshirë drejtorët e drejtorive komunale, shefin e Njësisë së auditimit komunal, shefin e Zyrës së thesarit komunal, zyrtarin e lartë të financave, kreun e Zyrës së informacionit, zyrtarëve ligjorë, anëtarët e Kuvendit Komunal dhe shoqërinë civile.